Secondary Adv

Zv.Guvernatorja Ahmetaj: Financa e gjelbër do të ndikojë orientimin e kapitalit në ekonomi

Banka e Shqipërisë dhe EIB prezantojnë draftin përfundimtar të Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër.

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB), ka prezantuar draftin përfundimtar të Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër, një instrument që synon të orientojë financimet dhe investimet drejt aktiviteteve ekonomike të qëndrueshme. Prezantimi u zhvillua në kuadër të Programit të Asistencës Teknike për Sistemet Financiare të Gjelbra, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve anëtare të Grupit Ndërinstitucional të Punës për Taksonominë e Gjelbër, bankave tregtare dhe ekspertëve teknikë.


Taksonomia Kombëtare e Gjelbër synon të krijojë një kuadër të qartë për identifikimin dhe klasifikimin e aktiviteteve ekonomike që kontribuojnë në objektivat mjedisorë dhe klimatikë, duke mbështetur tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbër.


Ahmetaj: Financa e gjelbër do të ndikojë orientimin e kapitalit

Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, e cilësoi përfundimin e procesit të hartimit si një arritje të rëndësishme, duke vlerësuar asistencën teknike të Bankës Evropiane të Investimeve dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.


“Taksonomia e Gjelbër duhet parë jo vetëm si një çështje reputacionale apo si shprehje e vullnetit për të mbështetur qëndrueshmërinë, por si një instrument që do të ndikojë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si kapitali do të orientohet drejt ekonomisë”, deklaroi Ahmetaj.


Sipas saj, ndryshimet klimatike dhe nevoja për të adresuar rreziqet që burojnë prej tyre kanë sjellë forcimin gradual të kuadrit rregullator ndërkombëtar dhe europian. Për Shqipërinë, këtyre zhvillimeve u shtohet edhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian, i cili krijon kërkesa të reja për bizneset dhe institucionet financiare.


Bankat do të duhet të përfshijnë rreziqet klimatike në kreditim

Një rol të rëndësishëm në zbatimin e financës së gjelbër pritet të ketë sektori bankar, i cili do të duhet të përfshijë gjithnjë e më shumë faktorët mjedisorë dhe klimatikë në vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut. Sipas Ahmetajt, kjo qasje do të ndikojë edhe në mënyrën e vlerësimit të kërkesave për financim, pasi aktivitetet ekonomike nuk do të analizohen vetëm mbi bazën e rezultateve financiare, por edhe në lidhje me mënyrën se si krijohen këto rezultate dhe ndikimin e tyre në qëndrueshmërinë e ekonomisë.


Në këtë kuadër, bankat do të duhet të përgatiten për zhvillimin e produkteve financiare në përputhje me parimet e financës së gjelbër. Nga ana tjetër, bizneset do të përballen me nevojën për të përshtatur modelet e tyre të veprimtarisë dhe teknologjitë me kërkesat e reja të qëndrueshmërisë.


EIB: Taksonomia e gjelbër afron Shqipërinë me standardet e BE-së

Përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri, Alessandro de Concini, theksoi rëndësinë e këtij procesi për zhvillimin e tregut financiar dhe të investimeve.


“Aktiviteti i sotëm është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e tregut të kapitalit në Shqipëri, në thithjen e investimeve dhe në shndërrimin e kreditimit të gjelbër në pjesë të praktikës së zakonshme të biznesit”, deklaroi de Concini.


Ai nënvizoi se hartimi i Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër e afron më tej Shqipërinë me standardet dhe tregun e Bashkimit Europian, duke mbështetur dekarbonizimin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike.


Drafti përfundimtar përcakton kriteret teknike dhe përshtatjet ligjore

Taksonomia Kombëtare e Gjelbër konsiderohet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të financës së qëndrueshme, së bashku me përmirësimin e cilësisë dhe transparencës së të dhënave, si dhe forcimin e standardeve të raportimit. Përfundimi i procesit të hartimit krijon një bazë më të qartë për orientimin e investimeve dhe financimeve drejt aktiviteteve që kontribuojnë në përmbushjen e objektivave mjedisorë dhe klimatikë.


Gjatë aktivitetit u prezantuan elementet kryesore të draftit të tretë dhe përfundimtar, përfshirë kuadrin e përgjithshëm të Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër, kriteret teknike të shqyrtimit dhe përshtatjet legjislative të nevojshme.


Në përfundim, zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj vlerësoi kontributin e institucioneve dhe ekspertëve të përfshirë në hartimin e dokumentit, duke theksuar se asistenca teknike dhe bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve kanë qenë thelbësore për përfundimin e këtij procesi.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat